Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, janë deklaruar rreth rastit të ndalimit të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, për të cilin Serbia ka kërkuar ekstradim për krime lufte në vitin 1999.
Në konferencën e përbashkët për media, Kurti ka thënë se për këtë rast ministrat e Drejtësisë të të dyja vendeve do të jenë në kontakt të vazhdueshëm.
Kurti ka shtuar se beson që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt në mënyrë që të zbatohet ligji dhe të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Ministrat tanë të Drejtësisë do të jenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe të vazhdueshëm. Gjithçka do të shkojë në funksion të vlerës së përgjithshme që bazohet në ligj e Kushtetutë në procedurat dhe rregullat institucionale në të dyja vendet, por gjithashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe evropiane që ne dëshirojmë t’i kultivojmë. Besoj që do të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që edhe ligji të zbatohet, por edhe që marrëdhëniet e mira fqinjësore të ruhen e të mirëmbahen. Unë jam optimist për të ardhmen, nuk është rasti i parë ky që na ndodh, ka pasur raste të tilla edhe në të kaluarën. Unë besoj që aktgjykimet e gjykatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga e kaluara tregojnë qartë rrugën në të cilën do të ecim në të ardhmen e afërt”, ka thënë ai.
Edhe Mickoski ka thënë se nuk dëshiron ta përsëris atë se çfarë tha Kurti. Sipas tij, marrëdhëniet e mira fqinjësore do të shkojnë në drejtim pozitiv.
“Ministrat e Drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastin ‘Monstra’ gjithashtu, sepse marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bilaterale do të shkojnë në drejtim pozitiv. Ky takim është i mirë pasi duam t’i rrisim dhe përmirësojmë marrëdhëniet mes dy qeverive”, është shprehur ai. /KOHA/