Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel më 26.06.2024, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se Kurti do të marrë pjesë në këtë takim.
“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor”- ka thënë ai.
Kryeziu ka njoftuar se në fokus të takimit do të jetë zbatimi i marrëveshjes bazike.
“Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara”- ka thënë tutje ai.
Nga Bashkimi Europian ësht konfirmuar se një takim i nivelit të lartë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet në Bruksel të mërkurën e ardhshme (26.06.2024).
“Mund të konfirmojë se një takim i nivelit të lartë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja Beograd-Prishtinë do të mbahet në Bruksel të mërkurën e ardhshme. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri Kurti do të përfaqësojnë palët përkatëse dhe takimi do të drejtohet nga Lehtësuesi – Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak”- thuhet në përgjigjen e BE-së.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve./KALLXO.Com/