Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka realizuar një vizitë në portin e qytetit të Hamburgut, së bashku me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X.
Siç njofton Qeveria, kjo vizitë ka për qëllim për të forcuar sigurinë në kufi, parandalimin e kontrabandës si dhe kërcënimet që vijnë nga jashtë.
“Një sistem i lëvizshëm skanimi me rreze X ndihmon në monitorimin e kamionëve të mëdhenj që kalojnë kufirin, duke garantuar kështu një nivel më të lartë të sigurisë pa penguar tregtinë. Gjermania ka shprehur dëshirën për të mbështetur Kosovën në përmirësimin e sigurisë. Kryeministri bisedoi me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë, Manuel Sarrazin për kushtet në të cilat qeveria gjermane mund të na sigurojë një skaner të tillë”- thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, kryeministri është shprehur mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga qeveria gjermane.
Kurti dhe Rashiq janë ftuar nga Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, Kurti është takuar edhe me diasporën kosovare në Hamburg, më 18.06.2024. Ai është i pranishëm edhe në stadium për të shikuar ndeshjen Shqipëri – Kroaci, në kuadër të Kampionatit Europian të futbollit “Euro 2024”.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka njoftuar bashkëatdhetarët për procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, vendimin e qeverisë për të ndarë tre milionë euro për mbulimin e policës kufitare dhe për ndarjen e tre milionë eurove të tjera për garantimin e kredive të bizneseve që hapen nga bashkëatdhetarët.
“Kryeministri gjithashtu përmendi programin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Diplomaci Qytetare, përmes së cilit shumë profesionistë të rinj po vijnë në Kosovë dhe po kontribuojnë në institucionet shtetërore me ekspertizën dhe kualifikimet e tyre” – thuhet në komunikatë./KALLXO.com/