Italia ka arritur të mposhtë Shqipërinë me rezultat 2-1 në ndeshjen e Grupit B të Euro 2024, e zhvilluar në “Signal Iduna Park”.
Ndeshja ka filluar me një gol befasues për Shqipërinë,ku vetëm pas njëzet e tetë sekondave një gabim në mbrojtjen italiane është shfrytëzuar nga Nedim Bajrami, i cili e ka dërguar topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Shqipërisë.
Megjithatë, Italia ka reaguar shpejt dhe ia ka arriur ta përmbysë rezultatin. Në minutën e dhjetë, Alessandro Bastoni e ka barazuar rezultatin me një goditje të saktë me kokë. Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e gjashtëmbëdhjetë, Nicolo Barella ka shënuar një gol të bukur me një goditje të fortë nga distanca, duke mposhtur portierin shqiptar Thomas Strakosha dhe duke e kaluar Italinë në epërsi.
Pjesa e dytë e ndeshjes është karakterizuar nga dominimi i Italisë, e cila ka krijuar disa raste, por nuk ia ka arriur të shënojë gola të tjerë. Shqipëria ka pasur rastin më të mirë për të barazuar me anë të Rei Manajt, por për fat të keq, topi nuk ka përfunduar në rrjetë. Pak para se arbitri të përfundonte ndeshjen, Shqipëria kishte edhe një rast të mirë me Mitajn, por ai nuk e ka gjetur kuadratin e portës.