Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i cili mblidhet të premten, mund të vendosë për një datë tjetër për futjen në agjendë të çështjes së anëtarësimit të Kosovës.
“Nëse nuk ka gatishmëri politike që të ndryshohet agjenda, Ministeriali nesër mund ta vendosë një datë të radhës kur mund të bëhet kjo dhe kjo do ishte shenjë për të ecur përpara”, ka thënë ai në një konferencë bashkë me ministren, Donika Gërvalla.
Ministrja Gërvalla, i ka adresuar një letër Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që përmban zotimin se Qeveria e Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim të komunave me shumicë serbe dhe se atë do ta dërgojë më pas në Gjykatë Kushtetuese.
Gërvalla në një konferencë për media ka thënë se ky draftdokument do t’i shërbente synimit të Qeverisë për integrimin e komunitetit serb dhe do të pamundësonte ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë.
“Zotimi ynë në letër është zotim serioz dhe i sinqertë”, ka thënë ajo duke shtuar se letra e dërguar të enjten është përsëritje e ofertës së kryeministrit Albin Kurti përgjatë muajsh.
“Është ripërsëritje e ofertës së Kurtit në Ohër e Bruksel. Draftdokumenti i Qeverisë do ishte në përputhje me Kushtetutën… kjo ofertë është refuzuar dy herë, shpresoj të pranohet këtë herë”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka theksuar se Kosova është i vetmi vend që i janë vënë më së shumti kushte për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ka konsideruar se dërgimi i letrës sot nuk është i vonuar, siç është thënë nga opozitarët.
Ka shtuar më tej se për letrën janë koordinuar të gjitha institucionet e vendit.
“Çështja e kushtëzimit të deritanishëm që nga ana jonë është konsideruar si kushtëzim i padrejtë sepse KiE ka konstatuar se Kosova i ka mbushur të gjitha kushtet. Ky hap i joni është hap që synon t’i ndihmojë përkrahësit e Kosovës me qëllim që edhe një herë ta theksojmë seriozitetin e ofertës sonë që është shprehur përmes letrës së zotimeve të nënshkruar nga tre krerët e shtetit. Këmbëngul në atë që sot të flasim për letrën, për qëllimet pse është hartuar dhe nuk do doja të diskutoja për opsione të tjera”.
Ajo ka bërë edhe një thirrje të fundit që “kjo ofertë e sinqertë të mos shpërfytyrohet gjatë interpretimit të saj, por të mbetet e tillë siç është menduar, sepse ndoshta përmes kësaj oferte do të mund të arrijmë një efekt si pikënisje për zgjidhje pozitive në shumë sfera”.