Sonte në ora 20:00, Universiteti “Ukshin Hoti” i Prizrenit në bashkëpunim me Parlamentin Studentor, organizon homazhe me rastin e 25 vjetorit të zhdukjes së Prof. Ukshin Hotit. Homazhe do të bëhen pranë shtatores së intelektualit dhe atdhetarit, Ukshin Hoti, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë që nga 16 maji i vitit 1999.
Më 16 maj 1999, pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.