Kanë përfunduar tri ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll që ishin paraparë të zhvilloheshin sot.
Pas dy humbjeve radhazi Drita është rikthyer te fitorja, pasi mposhti Fushë Kosovën, fitore ka shënuar edhe Llapi ndaj Feronikelit ’74, kurse Prishtina pas një fillimi të furishëm, në pjesën e dytë u “gjunjëzua” nga Liria.
Pas këtyre rezultateve Ballkani mbetet në vendin e parë, me 29 pikë dhe 11 ndeshje të zhvilluara. Drita e cila ka dy ndeshje më shumë është në vendin e dytë me 25 pikë.
25 pikë ka edhe Llapi që renditet i treti, por skuadra nga Podujeva po ashtu ka 14 ndeshje të zhvilluara deri më tani.
Malisheva zë vendin e katërt, e ndjekur nga Prishtina e Dukagjini, kurse Gjilani renditet i shtati.
Tri vendet e fundit janë Feronikeli ’74, Fushë Kosova dhe Liria.
Ndeshja e fundit e kësaj xhiroi zhvillohet nesër, kur Ballkani përballet me Dukagjini.