Izraeli duhet të ndalojë vrasjen e foshnjave dhe grave në Gaza, ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron.
Në një intervistë për BBC, ai ka thënë se “nuk ka justifikim” për bombardimet, duke theksuar se nga armëpushimi do të përfitonte Izraeli.
Duke njohur të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten, “ne i nxisim ata ta ndalojnë bombardimin” në Gaza, ka thënë ai.
Por, ka shtuar se Franca “qartazi i dënon” veprimet “terroriste” të Hamasit.
“De facto – sot, civilët po bombardohen – de facto. Këto foshnja, këto zonja, këta njerëz të moshuar po bombardohen dhe po vriten. Kështu që nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. I bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, ka theksuar Macron.
Izraeli thotë se po sulmon caqet ushtarake sipas të drejtës ndërkombëtare dhe se po merr hapa për të reduktuar viktimat civile, si lëshimi i paralajmërimeve para sulmeve dhe thirrja që njerëzit të largohen.