Një person është kapur sot me 65 mijë euro para të gatshme në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, të cilat po tentonte t’i fuste ilegalisht në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, Dogana e Kosovës ka njoftuar se vetura me targa të Shqipërisë është kontrolluar nga Njësia K9 e Policisë së Kosovës, të cilët kanë gjetur në pjesën e bagazhit zarfin me paratë.
“Në hyrje është paraqitur një automjet ne targat të Republikës së Shqipërisë i cili është përzgjedhur për kontroll në vijë të dytë së bashku me Policinë. Gjatë kontrollit të veturës, nga njësia K9 në pjesën e bagazhit, në vendin e destinuar për pajisje e ndihmës së parë, është zbuluar një pliko e verdhë e fshehur, e cila përmbante mjete monetare në shumë totale prej 65,000 euro”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës, rasti është dërguar për hetime, derisa është marrë masa të menjëhershme e konfiskimit të 25% të shumës totale të padeklaruar, në vlerë prej 16,250 euro.
“Pjesa e mbetur, 48,750 euro, deponohet deri në përfundim e procedurave të mëtejme”, thuhet më tej në njoftim.