Është miratuar në Qeverinë e Kosovës projektligji për çmimet e produkteve medicinale, që parasheh rregullimin e çmimeve të ilaçeve në vend, e që sipas kryeministrit Albin Kurti, do të kursejë mjete të shumta të qytetarëve. Ai dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë thënë se nëpërmjet këtij ligji, Kosova do të ketë ndër çmimet më të lira të barnave.
Ministri Vitia ka thënë se deri tash këtë ligj s’e kanë pasur vetëm dy shtete në Evropë, Kosova dhe Bjellorusia.
“Pas dy dekadash, si përfundim, Kosova për herë të parë po hiqet nga kjo listë. Kjo nismë është politikë e re dhe e shumëpritur në mbrojtjen e qytetarëve”, ka thënë Vitia që ka shtuar se ligji përfshin lartësinë e marzhës për shitësit, metodologjinë e përcaktimit të çmimeve, kalkulimin e tyre, komisionin për përcaktim çmimesh, publikimin zyrtar të tyre dhe mbikëqyrjen, ankesën dhe sanksionet.
Ai ka thënë se me këtë ligj, një bar do të ketë çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret në vend.
Në fillim të marsit, KOHA pati raportuar për kaosin që shkaktohet nga mungesa e këtij ligji.