Qerim Bajrami, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e ka quajtur jetësore marrëveshjen e nënshkruar të enjten në Berlin për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor.
Bajrami i cili është u partisë VAKAT, në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se presin që marrëveshja të ratifikohet edhe në Parlamentin e Bosnjës që më pas marrëveshja të bëhet e zbatueshme.
“Për ne boshnjakët kjo është çështje jetësore, lëvizja e lirë me letërnjoftime, presim brenda një muaji ose më pak formimin e parlamentit qendror në Bosnje, pasi këto marrëveshje duhet të ratifikohen”.
Bajrami ka shtuar se për mbi një dekadë çështja e vizave në mes të Kosovës dhe Bosnjës ka qenë problematike, dhe sipas tij, qytetarët boshnjakë të Kosovës nuk kanë pasur mundësi që të shkojnë në Bosnjë asnjëherë.
“Brenda 10-12 vjet e kemi pasur një regjim të vizave shumë rigoroz dhe shumica prej nesh nuk kemi pasur mundësi të shkojmë për shkaqe familjare. Vetëm ne kosovarët nuk kemi pasur mundësi të shkojmë atje, po ashtu edhe qytetarët e Bosnjës nuk kanë pasur lëvizje të lirë për në Kosovë. Shumë ka boshnjakë në Kosovë që asnjëherë nuk kanë shkuar në Bosnjë asnjëherë edhe pse kanë familjarë. Shumica prej nesh e kanë familjen atje ose ndonjë lidhje tjetër, deri tash ka qenë shumë e vështirë”.