Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shënuar 35 vjetorin e themelimit.
Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka theksuar se në këtë përvjetor kujtojmë me nder të gjithë ata që kontribuan në këtë rrugëtim historik dhe përulemi me respekt para atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
- Reklama -
Po ashtu, tutje në postimin e Selmanajt thuhet se forumi i rinisë së LDK-së ka qenë gjithmonë pararojë e ndryshimeve të mëdha.
Postimi i plotë:
35 Vjet Forumi i Rinisë së LDK-së – Trashëgimia e Një Gjenerate që Ndryshoi Kosovën.
Sot shënojmë 35 vjetorin e themelimit të Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, një organizatë që ka luajtur rol vendimtar në historinë e vendit tonë.
Në vitin 1990, në kohën kur Kosova ndodhej përballë sfidave të mëdha, rinia jonë u rreshtua përkrah vizionit të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke u bërë zëri i shpresës dhe lëvizjes për liri, demokraci dhe pavarësi.
Forumi i Rinisë së LDK-së ka qenë gjithmonë pararojë e ndryshimeve të mëdha. Ishte pikërisht kjo rini që dha kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e protestave studentore, në mobilizimin e qytetarëve për liri dhe në ndërtimin e institucioneve paralele që e mbajtën të gjallë frymën e rezistencës.
Sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, kujtojmë me nder të gjithë ata që kontribuan në këtë rrugëtim historik. Përulemi me respekt para atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, është detyra jonë të vazhdojmë me idealet e tyre, të forcojmë LDK-në dhe ta bëjmë Kosovën një shtet të zhvilluar dhe të qëndrueshëm.
Urime 35-vjetori i Forumit të Rinisë së LDK-së!
Rinia është e ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja është në duart e të rinjve që besojnë në demokracinë, lirinë dhe zhvillimin e vendit tonë!
- Reklama -