Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit dhe kjo dëshmohet çdo ditë me numrin e rasteve të tilla që denoncohen në Polici.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Dragash, ku një 35-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës 20-vjeçare, me të cilën bashkëjeton.Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se çifti ka përfunduar në emergjencë si pasojë e lëndimeve që kanë pësuar gjatë konfrontimit.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar dhe i dyshuari është arrestuar e shoqëruar në stacion policor.Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje” dhe masën e ndalimit policor.