Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takohet të martën në Shtëpinë e Bardhë me liderë dhe zyrtarë nga disa vende myslimane, për të diskutuar mbi situatën e përkeqësuar në Gazë, ku Izraeli po zhvillon një ofensivë të re.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi se në takim do të marrin pjesë përfaqësues nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Egjipti, Jordania, Turqia, Indonezia dhe Pakistani.
Sipas portalit Axios, Trump pritet t’u paraqesë partnerëve rajonalë një propozim për paqe dhe për qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës. Diskutimet do të përfshijnë çështjen e lirimit të pengjeve, ndalimin e luftimeve dhe planet për një tërheqje izraelite, duke përjashtuar Hamasin nga çdo rol në administrimin e ardhshëm të territorit.
Uashingtoni synon që vendet arabe dhe myslimane të bien dakord të dërgojnë trupa në Gazë për të lehtësuar tërheqjen e Izraelit dhe të kontribuojnë financiarisht në programet e tranzicionit dhe rindërtimit.
Ndërkohë, disa prej vendeve pjesëmarrëse kanë deklaruar se zgjidhja me dy shtete është rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme, qëndrim i refuzuar nga Izraeli, i cili e sheh njohjen e një shteti palestinez si “shpërblim për ekstremizmin”.
Lufta në Gazë është shtrirë përtej kufijve, me sulme izraelite edhe ndaj Iranit, Libanit, Jemenit, Sirisë dhe Katarit. Trump kishte premtuar një përfundim të shpejtë të konfliktit, por tetë muaj pas fillimit të mandatit të tij, një zgjidhje ende nuk është arritur.
Mandati i Trump nisi me një armëpushim dy mujor mes Izraelit dhe Hamasit, i cili përfundoi më 18 mars pas një vale bombardimesh izraelite ku humbën jetën 400 palestinezë. Në shkurt, presidenti amerikan kishte propozuar që SHBA të merrte nën kontroll Gazën dhe të zhvendoste përfundimisht popullsinë palestineze, një plan që u kritikua gjerësisht nga OKB-ja dhe ekspertë të të drejtave të njeriut si “spastrim etnik”, duke qenë se zhvendosja me forcë konsiderohet e paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
Trump e ka paraqitur idenë e tij si një projekt për “rizhvillimin” e Gazës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar mbetet i ndarë mbi mënyrën për të arritur një paqe afatgjatë./Sinjali