Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurve B. K., B. P. dhe N. P..
“Në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur, sepse duke marr parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku të pandehurit tregojnë këmbëngulësi në kryerjen e veprës, aq sa përveç komunikimeve fizike dhe telefonike, ata tentojnë ti mashtrojnë viktimat se kinse janë duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimarrje të prokurorit të shtetit, të cilëve u kërkojnë të holla me të cilat arrestohen në flagrancë. Po ashtu duke marrë parasysh pozitat që kanë mbajtur për kohë të gjatë në një rreth të ngusht siç është qyteti i Prizrenit, afërsinë shoqërore pa përjashtuar edhe atë miqësore që kanë me zyrtarë, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës pennale, duke ndikuar drejtpërdrejtë në dokumentacionin dhe në dëshmitarë, të cilët i njohin personalisht, shto këtu faktin se në bazë të dhënave nga data baza policore i pandehuri B. K. rezulton me të kaluar kriminale, të njëjtit i figurojnë 16 vepra penale, nga këto 13 vepra penale – mashtrimi, ndërsa dy të pandehurit mbanin pozita në sistem të drejtësisë (avokat dhe zyrtar i gjykatës në Prizren)”, shkruan në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.
Sipas njoftimit, me këto veprime të tre të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “ushtrimi ndikimit”, vepër të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në fund të këtij njoftimi.